Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, më 7 maj 2026, në fshatin Gjashtë të Sarandës, janë arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Policia njofton se në pranga kanë rënë Lulzim Tabaku, 37 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes me armë zjarri, dhe Idriz Çela, 40 vjeç, i dyshuar për moskallëzim krimi, kanosje dhe shkatërrim prone.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në lokalin e viktimës, pas një konflikti me sende të forta mes disa personave. Tabaku dyshohet se qëlloi me pistoletë ndaj 66-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet greke. Idriz Çela u kap në ishullin e Korfuzit, ku dyshohet se qëndronte duke përdorur identitet të rremë.
Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e dy të ndaluarve, ndërsa policia po punon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim për këtë ngjarje.
Lini një koment