Një 70-vjeçar nga fshati Markat i Konispolit është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr që dogji një sipërfaqe të konsiderueshme toke me ullinj dhe një stallë me bagëti.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur më datë 26 korrik 2025, rreth orës 09:00, në malin e fshatit Markat. I moshuari F. M., banues në këtë fshat, kishte ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një kullote. Për shkak të erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi.
Si pasojë e përhapjes së zjarrit, u dogjën rreth 3.5 hektarë me barishte dhe shkurre në Markat dhe Shalës. Flakët depërtuan edhe në zonat e banuara, ku shkrumbuan një stallë me dele, një kotec me shpendë dhe qindra rrënjë ullinj.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për vijimin e hetimeve.
Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve për pastrimin e tokave, pasi rrezikojnë të përballen me pasoja të rënda ligjore dhe dëme të mëdha materiale.
Lini një koment