Një emigrant shqiptar është kthyer në hero në qytetin e Artës në Greqi, pasi shpëtoi nga mbytja dy fëmijë në një zonë të rrezikshme të lumit. Levian Goga, 41 vjeç, nga Berati, pa u menduar dy herë, u hodh në ujë për të shpëtuar të miturit, pavarësisht rrezikut dhe dëmtimit personal që pësoi gjatë ndërhyrjes.
Ngjarja ndodhi në zonën e Neokorit, ku rrjedha e lumit është veçanërisht e thellë dhe e rrezikshme për shkak të vorbullave të fuqishme. Sipas dëshmive të banorëve dhe raportimeve të mediave greke, Goga ishte në një kafene kur dëgjoi një fëmijë duke kërkuar ndihmë. Pa humbur kohë, ai u drejtua drejt vendngjarjes, kaloi përmes kallamishteve dhe u hodh në ujë për të kërkuar fëmijët.
“U zhyta disa herë. E pashë njërin nga fëmijët i shtrirë në fund, i palëvizshëm. E kapa dhe e nxora. Pastaj u zhyta përsëri dhe gjeta tjetrin. I rridhte gjak nga goja dhe hunda, u frikësova shumë”, rrëfeu Goga për mediat.
Edhe pse theu këmbën gjatë ndërhyrjes, ai nuk u tërhoq. Heroizmi i tij u vlerësua menjëherë nga komuniteti vendas dhe u pasqyrua gjerësisht në media.
“Jam i huaj, por jam qenie njerëzore. Bëra atë që do të bënte çdo baba. Nuk më intereson kush janë fëmijët, çfarë race apo feje kanë. Mendoj vetëm për jetën e tyre”, u shpreh Goga i emocionuar.
Levian Goga, i njohur ndryshe si “Leo”, jeton prej 24 vitesh në Greqi dhe ka ndërtuar jetën e tij me familjen në Arta. Ai është baba i dy fëmijëve të vegjël.
Zona ku ndodhi incidenti njihet për rrezikshmëri të lartë, sidomos gjatë verës, kur fëmijët frekuentojnë lumin për t’u freskuar. Sipas dëshmive, njëri prej djemve ishte zhytur për të shpëtuar shokun, por fatkeqësisht, të dy rrezikuan të mbyteshin.
Veprimi i Gogës riktheu vëmendjen publike te vlerat themelore njerëzore, si guximi, ndjeshmëria dhe përgjegjësia ndaj jetës së tjetrit.
Lini një koment