Propozimet e reja legjislative në draftin e Kodit të ri Penal parashikojnë masa më të rrepta ndëshkuese ndaj çdo akti që dëmton apo braktis kafshët, duke përfshirë edhe dënime me burgim deri në tre vjet.
Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe, kur kjo ndodh në rrethana që rrezikojnë jetën apo shëndetin e saj, konsiderohet vepër penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite. Ky nen forcon dukshëm dispozitat ekzistuese, të cilat parashikonin ndëshkime penale vetëm kur braktisja sillte pasoja për njerëzit.
Në të njëjtin kuadër, neni 943 i draftit penal specifikon dënimet për dëmtimin e kafshëve shtëpiake ose atyre që janë nën kontrollin e njeriut. Çdo dëmtim i përhershëm apo i përkohshëm i tyre, përfshirë edhe abuzimet seksuale, dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet, kur kërkohet ndërhyrje veterinare për rikuperimin e shëndetit të kafshës.
Në rast se nga keqtrajtimi shkaktohet vdekja e kafshës, dënimi shtohet me deri në 50%, ndërsa për kafshët vertebrore që nuk janë shtëpiake, veprat klasifikohen si kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose deri në 3 muaj burg. Edhe keqtrajtimi i rëndë pa dëmtime të dukshme mund të ndëshkohet, përmes një mase të përshtatshme ndëshkimi të caktuar nga gjykata.
Kontrolli i kafshëve në hapësira publike
Drafti parashikon gjithashtu masa ndaj personave që nuk mbajnë nën kontroll kafshët në publik, apo që nuk i pajisin me maskë mbrojtëse kur kjo kërkohet. Sipas nenit 945, nëse një kafshë, si p.sh. një qen, shkakton dëmtim për shkak të mungesës së kontrollit, pronari mund të përballet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj. Për rastet më të rënda, ku vjen dëmtim i rëndë ose humbje jete, dënimi ashpërsohet në përputhje me rrethanat.
Ndeshjet ndërmjet kafshëve dhe bastet
Neni 946 parashikon dënime për organizatorët dhe pjesëmarrësit në ndeshje të kafshëve, duke përfshirë burgim deri në 3 muaj për ata që i promovojnë, organizojnë ose drejtojnë. Dhënia e kafshëve për qëllime ndeshjeje apo trajnimi i tyre për luftë dënohet me deri në 6 muaj burg, ndërsa vendosja e basteve ndëshkohet me deri në 2 muaj burg. Këto masa janë të njëjta me dispozitat aktuale, por drafti i ri i përfshin në mënyrë më të strukturuar.
Dënime më të rënda për vepra mizore ndaj kafshëve
Sipas nenit 947, kur veprat penale ndaj kafshëve kryhen me mizori, egërsi, qëllim fitimi, ose duke përdorur armë apo mjete të rrezikshme, dënimet shtohen deri në 50%. E njëjta rritje dënimi aplikohet edhe kur aktet ndodhin në prani të fëmijëve apo personave vulnerabël, apo kur autori është vetë pronari i kafshës.
Gjithashtu, dënimi rëndohet kur veprat kryhen gjatë ngjarjeve publike, ose kur pamjet e akteve shpërndahen përmes platformave të komunikimit elektronik, në përpjekje për të ndaluar normalizimin apo nxitjen e dhunës ndaj kafshëve.
Drafti i ri i Kodit Penal synon të sjellë një qasje më të rreptë dhe më humane ndaj kafshëve, duke e ngritur mbrojtjen e tyre në një standard më të lartë ligjor dhe moral. Për të hyrë në fuqi, projektligji duhet të kalojë fazën e konsultimit publik dhe të miratohet nga Kuvendi.
Lini një koment