Një shtetas shqiptar, 32-vjeçari Kostandin Nesturi nga Saranda, është arrestuar nga autoritetet greke gjatë një operacioni policor të zhvilluar në zonën e Thrakomakedonës në Athinë. Arrestimi u krye pas kontrolleve të ushtruara në një banesë, ku jetonin Nesturi dhe një shtetas grek, Aleksandros Banin, 29 vjeç.
Sipas njoftimit të policisë greke, gjatë bastisjes janë sekuestruar:
- Një armë zjarri automatike me 9 fishekë,
- Një jelek anti-plumb,
- Pesë fishekë shtesë,
- Një palë targa automjeti të dyshuara si false,
- Një kartë identiteti greke e falsifikuar,
- Dy vula zyrtare dhe katër vula biznesi,
- Sasi të vogla të substancave narkotike: 3.6 gram kokainë dhe 27 gram marijuanë,
- Dy peshore, 16 grirëse për kanabis,
- Dy kompjuterë laptop.
Policia greke ka nisur hetimet për të zbuluar motivet e posedimit të armatimit dhe dokumenteve të falsifikuara nga ana e dy të dyshuarve.
Ndërkohë, sipas burimeve nga autoritetet shqiptare, Kostandin Nesturi rezulton me precedentë penalë në Shqipëri. Në vitin 2014, ai është arrestuar në Sarandë për vjedhjen e rreth 360 litrave naftë nga gjeneratori i një kompanie telefonike. Në një tjetër rast, në vitin 2023, është ndaluar sërish në Sarandë ndërsa drejtonte një automjet të tipit “BMW”, të dyshuar si i vjedhur në Spanjë. Gjatë kontrollit në atë rast, atij iu gjet edhe një sasi marijuane.
Hetimet në lidhje me aktivitetin e dyshuar kriminal të Nesturit dhe bashkëpunëtorit të tij po vijojnë nga autoritetet greke.
Lini një koment