Policia Rrugore e Sarandës ka shtuar ndjeshëm patrullimet dhe kontrollet në qytet dhe zonat turistike përreth, duke vendosur një numër rekord gjobash ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Vetëm gjatë javës së parë të korrikut janë vendosur 1 157 gjoba për shkelje të ndryshme, ndërkohë që 5 drejtues mjetesh janë arrestuar dhe 5 leje drejtimi janë pezulluar. Shkeljet më të shpeshta kanë qenë mosvendosja e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, qarkullimi me xhama të zinj, përdorimi i mjeteve që nuk plotësojnë kushtet teknike dhe parkimet e gabuara.
Sipas Policisë, vetëm për mosvendosjen e kaskës janë vendosur 418 gjoba, ndërsa një drejtues automjeti u ndëshkua me 39 000 lekë gjobë dhe i është pezulluar leja e drejtimit, pasi qarkullonte me një mjet të modifikuar që prodhonte zhurma dhe kishte fuqi motorike mbi normat e lejuara.
Policia thotë se kontrollet janë pjesë e një plani të gjerë masash për garantimin e sigurisë rrugore në kulmin e sezonit turistik, kur fluksi i automjeteve dhe turistëve në zonë është rritur ndjeshëm.
Autoritetet iu bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në vende të palejuara, pasi këto pengojnë qarkullimin normal dhe rëndojnë trafikun në qytet.
Policia Rrugore thekson se aksionet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.
Lini një koment