Një 29-vjeçar nga Kavaja, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve, është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi u kap në flagrancë pas një vjedhjeje të kryer në Ksamil.
Sipas policisë, më datë 09 korrik 2025, rreth orës 04:00, 29-vjeçari A. S. dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetasit E. M., 36 vjeç, dhe ka vjedhur 4 celularë, një orë dore dhe disa karta banke.
Pas kallëzimit të bërë nga pronari i banesës, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan operacionin që çoi në identifikimin dhe arrestimin e autorit. Ai u kap në një dyqan, teksa përpiqej të shiste një prej celularëve të vjedhur.
Sendet e vjedhura janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ndërsa ndaj 29-vjeçarit A. S. rëndon akuza për veprën penale “Vjedhja”.
Lini një koment