Pas rreth 5 orësh nga vrasja e 20-vjeçarit portugez Miguel Mendes në Ksamil, policia ka kapur dhe vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, 29-vjeçarin Sokrat Vata.
Vata u arrestua në aksin rrugor Levan-Fier, pas koordinimit të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. 29-vjeçari u lokalizua në një pikë kontrolli të ngritur posaçërisht për kapjen e tij.
Sipas policisë, Sokrat Vata ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke. Në automjet ndodhej edhe një 38-vjeçar, gjithashtu shtetas turk.
Të tre personat u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas informacioneve të bëra publike më herët, Miguel Mendes, 20 vjeç, u gjet i pajetë në plazhin e Principotes në Ksamil. I riu portugez, i cili ndodhej në Shqipëri për turizëm së bashku me një grup shtetasish të huaj, dyshohet se u godit disa herë me thikë në shpinë dhe kraharor.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.
Lini një koment