Një impiant gazi që po ndërtohej në mënyrë të paligjshme në tokë shtetërore është zbuluar nga Policia e Vlorës, në bashkëpunim me IKMT-në dhe Inspektoratin e Mjedisit. Objekt ndodhej në territorin e Delvinës dhe po ndërtohej pa lejet përkatëse nga institucionet përgjegjëse.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e subjektit privat, u konstatua se kompania kishte nisur ndërtimin e një impianti energjetik (TEC), pa miratimet ligjore të nevojshme.
Në flagrancë u arrestuab inxhinierët, shtetasit E. M., 31 vjeç, përgjegjës i impiantit të gazit dhe L. M., 53 vjeç, përgjegjës i kantierit të ndërtimit.
Të dy akuzohen për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Zaptim i tokës”, të kryera me qëllim përfitimi.
Në vijim të hetimeve, u shpallën në kërkim dhe shtetasi Sokol Meqemeja, 56 vjeç, pronari i kompanisë, si dhe shtetasi J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë.
IKMT përpiloi procesverbalin për konstatimin e kundërvajtjes dhe vendosi bllokimin e menjëhershëm të punimeve në objekt.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Lini një koment