Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim shtetasin Romeo Këmbaci, 43 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka marrë një makinë me qira nga një kompani në qytet dhe nuk e ka kthyer ende.
Ngjarja ka ndodhur më 17 prill 2025, kur Këmbaci ka marrë me qira një automjet tip Toyota nga shtetasi A. S., banues në Sarandë, duke premtuar se do ta përdorte për vetëm 3 ditë. Megjithatë, deri më tani ai nuk ka kthyer mjetin, dhe nuk i përgjigjet thirrjeve telefonike të pronarit të kompanisë.
Kompania që ka ofruar makinën deklaron se 43-vjeçari ka marrë mjetin në darkë, duke pretenduar se punonte në Ksamil dhe se kishte nevojë urgjente për të udhëtuar drejt Beratit për një hall familjar. Teksa kanë kaluar 10 ditë, makina ende nuk është kthyer.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë referuar materialet përkatëse në Prokurorinë e Sarandës, ndërkohë që kërkimet për 43-vjeçarin po vijojnë.
Policia dhe kompania i bëjnë thirrje qytetarëve se nëse kanë informacion mbi vendndodhjen e tij, të kontaktojnë autoritetet kompetente.

Lini një koment