Një 38-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht pasi tentoi të korruptonte punonjësit e policisë në Sarandë, për të shmangur masën administrative që do t’i vendosej për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë patrullimit në rrugën “Lefter Talo”, shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan një automjet tip BMW, i cili ishte ndaluar në mënyrë të gabuar duke penguar qarkullimin e mjeteve të tjera.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, drejtuesi i mjetit, shtetasi L. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, ka tentuar t’u japë efektivëve një shumë prej 50 eurosh, me qëllim që të shmangte ndëshkimin ligjor.
Menjëherë pas këtij veprimi, ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë. Oficeri i Policisë Gjyqësore ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë ndaj 38-vjeçarit për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Lini një koment