Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Joan, ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkës, duke theksuar se kjo ngjarje themelore e besimit të krishterë mbetet burim i pashtershëm drite, shprese dhe transformimi shpirtëror për çdo njeri dhe çdo kohë.
Në mesazhin e tij, Imzot Joan nënvizon se Ngjallja e Krishtit nuk është thjesht një ngjarje historike, por një realitet i gjallë që shoqëron dhe ndriçon jetën e besimtarëve.
“Pashka është përkujtim i Ngjalljes së Krishtit dhe njëherazi e vërteta themelore e besimit tonë. Në kohën që po jetojmë, me pasiguri dhe sfida të shumta, mesazhi i Ngjalljes vjen si burim shprese, dritë dhe gëzimi, që na ndihmon të mos mbytemi në detin e hidhërimit dhe dëshpërimit”, u shpreh ai.
Kryepeshkopi kujtoi me respekt paraardhësin e tij, Kryepiskopin Anastas, i cili u nda nga jeta në janar të këtij viti pas tre dekadash në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
“Këtë Pashkë, për herë të parë, nuk e kemi mes nesh Hirësinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Megjithatë, ngushëllimi ynë vjen nga besimi se ai tashmë ndodhet në praninë e Zotit, duke ndërmjetësuar për ne. Sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re në Atin Qiellor,” tha ai.
Në vijim të mesazhit, Kryepeshkopi Joan vuri në dukje sfidat globale që përballet njerëzimi-luftërat, varfërinë, padrejtësitë dhe izolimin shpirtëror duke theksuar se Ngjallja është një ftesë për ringjallje të brendshme dhe për përmirësim të marrëdhënieve ndërnjerëzore.
“Egoizmi dhe lakmia kanë helmuar marrëdhëniet mes njerëzve, duke i larguar nga njëri-tjetri. Por, në këtë ditë të shenjtë, ftohemi të gjithëve të marrim pjesë në gëzimin e Ngjalljes, që të transformohemi si individë dhe si komunitet. Vetëm kështu mund të arrijmë dimensionin e plotë të qenies njerëzore,” tha Kryepeshkopi.
Fortlumturia e Tij Imzot Joan u fronëzua më 29 mars si Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke marrë drejtimin pas ndarjes nga jeta të Hirësisë së Tij Anastas Janullatos.
Lini një koment