Policia e Sarandës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e pazakontë që ndodhi mbrëmjen e së premtes, në zemër të qytetit bregdetar. Një i ri tentoi t’i shpëtonte forcave të rendit duke u hedhur në det, por u kap pas një operacioni të shpejtë të Policisë dhe Policisë Kufitare.
Ngjarja u regjistrua pranë pedonales së qytetit, në rrugën “Butrinti”, aty ku forcat e rendit ndaluan për kontroll një automjet luksoz tip “Porsche Panamera”, në të cilin ndodheshin tre persona. Në momentin që uniformat blu kërkuan verifikimin e identitetit dhe kontrollin e mjetit, njëri prej tyre, Endri Doku, 27 vjeç, doli me vrap nga makina dhe u hodh në det, duke marrë me vete një çantë krahu.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe mbështetjes nga një mjet lundrues i Policisë Kufitare, u bë e mundur ndalimi i të riut në ujë, si dhe gjetja e çantës që ai tentoi të zhdukte. Brenda saj, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me 16 fishekë.
Operacioni i koduar “Diving” përfundoi me arrestimin e tre personave:
Endri Doku, 27 vjeç, banues në Kamëz, për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”;
Imer Gega, 21 vjeç, banues në Kamëz, për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
Ervis Cukali, 27 vjeç, banues në Kamëz, i shpallur më herët në kërkim për vepra të rënda penale, si “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Nga ky operacion u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak dhe automjeti luksoz “Porsche Panamera”, që po përdorej nga të arrestuarit.
Policia deklaron se kontrollet dhe operacionet e tilla janë intensifikuar gjatë sezonit turistik, për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Materialet për tre të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Lini një koment