Një ndjekje e pazakontë policore është regjistruar mbrëmjen e sotme në rrugën “Butrinti”, në pedonalen e qytetit të Sarandës, ku një person është përpjekur t’i shpëtojë forcave të rendit duke u hedhur në det.
Sipas burimeve zyrtare, policia ka ndaluar për kontroll një automjet luksoz tip “Porsche Panamera”, ku ndodheshin tre persona. Në momentin që uniformat blu tentuan të verifikonin identitetin e tyre, njëri prej pasagjerëve ka dalë me vrap nga mjeti dhe është hedhur në det, duke mbajtur me vete një çantë krahu.
Dy personat e tjerë u ndaluan dhe u shoqëruan në komisariat nga forcat “Shqiponja”. Ndërkohë, për kapjen e personit që tentoi të largohej, u angazhua edhe një mjet lundrues i Policisë Kufitare, duke bërë të mundur arrestimin e tij.
Dyshohet se gjatë hedhjes në ujë, i riu ka hedhur në det sende të paligjshme. Policia po vijon kërkimet në zonë dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Lini një koment