Një sherr mes vëllezërve ka degjeneruar në dhunë fizike në Ksamil, duke çuar në arrestimin e dy personave nga Policia e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes tre anëtarëve të një familjeje.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. H., 62 vjeç dhe E. H., 35 vjeç (babë e bir), banues në Ksamil.
Dyshohet se më datë 28.07.2025, gjatë një konflikti familjar, ata kanë goditur me sende të forta shtetasin B. H., 57 vjeç, vëllai i Sh. H., duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e kokës.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë ndërhynë dhe bënë arrestimin në flagrancë të autorëve të dyshuar. I dëmtuari është dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Sarandës vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një koment