Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në tre fshatra të Bashkisë Delvinë, për shkak të përhapjes së zjarreve dhe rrezikut serioz për jetën. Vendimi është marrë përmes strukturave të Mbrojtjes Civile dhe prek fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz.
Në njoftim zyrtar, u bëhet thirrje të gjithë banorëve të ndjekin me kujdes udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore që janë në terren për të garantuar sigurinë e tyre.
Aktualisht, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore që po veprojnë në zonën e Delvinës. Dy mjete të tjera ajrore janë të përfshira në përballimin e situatës së zjarreve në qarkun Berat-Dimal.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, kanë djegur 11 shtëpi dhe kanë shkrumbuar kishën 200-vjeçare të Shën Dhimitrit, një monument kulture i kategorisë së parë. Forcat zjarrfikëse janë përpjekur ta vendosin situatën nën kontroll, por puna e tyre është vështirësuar nga terreni i thepisur dhe malor.
Lini një koment