Një shtetas 54-vjeç është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi akuzohet për tentativë uzurpimi të një banese private në Ksamil, të cilën e kishte vënë në shënjestër prej kohësh.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, i arrestuari, me inicialet A. L., ka hyrë në mënyrë të paligjshme në banesën e një shtetaseje 38-vjeçare, e pajisur me certifikatë pronësie, duke thyer derën, ndërruar bravën dhe instaluar kamera sigurie si dhe një portë të re, në përpjekje për ta vënë pronën nën kontrollin e tij.
Ngjarja është shënuar më 31 maj 2025 dhe nuk përbën rastin e parë të përpjekjeve të këtij shtetasi për të marrë në zotërim banesën në fjalë. Policia bën me dije se ai kishte ushtruar veprime të ngjashme edhe më parë, duke e kthyer rastin në një përsëritje të një tentative të qëllimshme për uzurpim prone.
Pas ndalimit të tij në flagrancë, materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ai do të përballet me akuzat për cenim të pronësisë dhe ndërhyrje të paligjshme në pasuri private.
Lini një koment