Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit në media të kontratës së lobimit që ajo ka lidhur me kompaninë amerikane “Continental”, e cila sipas dokumenteve të raportuara do të ketë një kosto prej 250 mijë dollarësh në muaj, ose një total prej 6 milionë dollarësh për një periudhë dyvjeçare.
Sipas raportimeve, kontrata është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, dhe janë parapaguar 750 mijë dollarë. Në reagimin e saj zyrtar, Partia Demokratike nuk mohon ekzistencën e marrëveshjes, por sqaron se ajo financohet 100% nga fondacioni “Make Albania Great Again”, i krijuar nga emigrantë dhe patriotë shqiptaro-amerikanë.
Në deklaratën e saj, PD shprehet se qëllimi i kësaj kontrate është forcimi i bashkëpunimit me aleatin kryesor të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar në rivendosjen e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës në vend.
“Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit ‘Make Albania Great Again’, ka kontraktuar kompaninë ‘Continental’, të drejtuar nga Ambasadori Carlos Trujillo, një figurë e njohur për qëndrimet e tij antikomuniste dhe për lidhjet e tij me administratën e ish-presidentit Trump,” thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
PD thekson se ky bashkëpunim nuk i ngarkon asaj asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual, pasi të gjitha shpenzimet mbulohen nga kontributet e komunitetit shqiptaro-amerikan. Partia Demokratike falenderon anëtarët e këtij komuniteti për mbështetjen dhe patriotizmin e treguar.’
LEXONI GJITHASHTU:
Lini një koment