Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur largimin e Klodian Llahos nga detyra të kryetarit të Prokurorisë së Sarandës.
Me vendimin e marrë këtë të enjte nga KLP, Llaho nuk do të jetë më drejtues i organit të akuzës në Sarandë, por as prokuror.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi gjithashtu pranimin pjesërisht të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistratit të Sarandës, duke i ulur pagën me 20%, përkundër masës 40% që kishte kërkuar ILD.
Hetimi disiplinor i ILD ka konstatuar se Llaho ka shkelur disa rregulla dhe ka abuzuar me detyrën e tij. Sipas KLP, ai ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore në menaxhimin e çështjeve dhe ka shkelur rregullat e sjelljes profesionale ndaj kolegëve të tij. Sipas ILD, veprimet e Llaho rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e Prokurorisë dhe të përkeqësojnë funksionimin e saj.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin disiplinor ndaj magjistratit, bazuar në 6 ankesa të një prokuroreje po në Prokurorinë e Sarandës, për veprime e sjellje që përbëjnë shkelje disiplinore nga ana e drejtuesit.
Llaho nuk mund të ushtrojë as detyrën e prokurorit pasi rezulton i pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme. Pezullimi ka ardhur pas kërkesës së SPAK, që po e heton prokurorin nën dyshimet për korrupsion, për përfitime të parregullta që ka marrë përmes vjehrrit të tij
Lini një koment