Një krim i rëndë tronditi këtë të mërkurë zonën e Komotinit në Greqi, ku 53-vjeçari shqiptar Bujar Meço, nga Gramshi, vrau me thikë bashkëshorten e tij, Esma Meço, 44 vjeçe.
Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit, në fshatin Dialambi, në rajonin e Rodopit, pranë qytetit të Komotinit. Pas krimit, 53-vjeçari tentoi të vetëvritej duke konsumuar benzinë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Alarmi për ngjarjen u dha nga një prej tre fëmijëve të çiftit, ndërsa policia mbërriti në banesë dhe nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas të dhënave të deritanishme, çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme. Në vitin 2022, Esma Meço e kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënim dhe dhunë në familje.
Autoritetet greke vijuan hetimet për përcaktimin e motivit dhe dinamikës së plotë të ngjarjes, ndërsa 53-vjeçari ndodhet nën mbikëqyrjen e policisë në spital.
Lini një koment