Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka paralajmëruar riorganizimin e zinxhirit komandues të Komisariatit të Sarandës, pas vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj, i cili u qëllua me armë zjarri rreth 67 metra larg godinës së komisariatit.
Deklarata është bërë gjatë një takimi me drejtuesit e Policive në qarqe dhe drejtuesin e Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj. Demo ka kërkuar hartimin e një skeme për riorganizimin e strukturës drejtuese të Komisariatit të Sarandës, ndërsa ka paralajmëruar edhe ngritjen e një Task-Force me oficerë me përvojë për goditjen e kriminalitetit në zonën turistike.
Ministri e ka lidhur këtë ndërhyrje me reagimin e strukturave vendore të policisë pas vrasjes së Myrtajt. Sipas tij, komisariati nuk ishte në gjendje të reagonte në kohë ndaj ngjarjes dhe të vihej menjëherë në ndjekje të autorëve.
Lini një koment