Biznesmeni nga Saranda, Bledar Omeri, i cili jeton dhe punon në Angli, ka denoncuar në redaksinë e Saranda Online një rast të pretenduar abuzimi pranë Bashkisë Sarandë. Ai thotë se prej tre vitesh ka kërkuar ndërtimin e një rampe pranë pallatit ku banon babai i tij, i cili lëviz me karrocë, por punimet nuk i janë realizuar nga ana e bashkisë.
Sipas Omerit, gjatë takimit me kreun e Policisë Bashkiake, Aleksandër Lilo, ky i fundit i ka kërkuar 4 mijë euro për përfundimin e rampës.

“Ti jeton në Angli, një kafe për shefin do e kishe dhënë”, me këto fjalë i është drejtuar Lilo në takimin jashtë bashkisë Omerit , duke iu referuar me termin “shefi”, kryetarit të bashkisë.
Omeri tregon se bashkia e kishte sjellë rrugën me beton deri në banesën e tij, por një pjesë e vogël kishte mbetur pa përfunduar. Sipas tij kjo pjesë pamundësonte lëvizjen e babait invalid.

Pas kësaj, biznesmeni thotë se vendosi t’i drejtohet kryeministrit Edi Rama për të kërkuar zgjidhje.

Sipas tij, pas ankesës, Rama e ka telefonuar dhe më pas është kontaktuar edhe nga kryebashkiaku Oltion Çaçi, i cili i ka thënë: “Vëlla, nuk jam në dijeni se çfarë bëjnë këta. Do të shkoj vetë nesër te vendi, do ta shikoj dhe do të çoj punëtorët ta bëjnë. Pa merak, vëlla”.

Omeri thotë se kryeministri e ka telefonuar dy herë të tjera, rreth orës 22:30, për t’u interesuar për çështjen.

Menjëherë të nesërmen është ndërtuar rampa dhe babait të tij i është mundësuar lëvizja.

****Saranda Online publikon denoncimin e qytetarit. Pretendimet e ngritura prej tij mbeten për t’u verifikuar. Redaksia është e hapur për reagimin e Aleksandër Lilos, Bashkisë Sarandë dhe personave të tjerë të përmendur.
Lini një koment